Kur një trup lëviz në ajër, mbi trupin ushtrohet një forcë që quhet rezistenca e ajrit.
Shumicën e kohës, këtë forcë nuk e ndjejmë. Kur ajri lëviz shumë shpejt, ose ne lëvizim shumë shpejt , ndihet veprimi i kësaj force.
Kur trupi lëviz në ajër, ai goditet me molekulat e ajrit dhe i shtyn ato përpara. Edhe molekulat e ajrit e shtyjnë trupin prapa duke shkaktuar rezistencën e ajrit.
Rezistenca e ajrit ndikohet edhe nga vlera e shpejtësisë së trupit që lëviz në të.
Trupat që lëvizin me shpejtësi të madhe do të goditen me më shumë molekula të ajrit dhe kështu do t’i nënshtrohen një rezistence ajri më të madhe.
Zvogëlimi i rezistencës së ajrit
Rezistenca e ajrit shpesh është e dëmshme. Ajo është forcë fërkimi që ngadalson lëvizjen e trupave.
Rezistenca e ajrit është më e vogël kur sipërfaqja ballore e trupit në takim me ajrin është e vogël.
Për të zvogëluar rezistencën e ajrit, trupave iu jepet një formë e tillë, që rrymat e ajrit të rrëshqasin nëpër sipërfaqen anësore.
Një sipërfaqe e tillë quhet sipërfaqe aerodinamike.
Çiklistët mbledhin duart dhe përkulen përpara për të zvogëluar sipërfaqen ballore në takim me ajrin. Ata përdorin dhe helmeta për të pasur sipërfaqe sa më aerodinamike.
Përdorimi i rezistencës së ajrit
Rezistenca e ajrit është e dobishme kur duam të ngadalsojmë trupat që bien. Një parashut e rrit sipërfaqen ballore që takohet me ajrin, duke rritur kështu rezistencën e ajrit.
Kur parashutistja hidhet nga aeroplani, ajo përshpejtohet nga forcat e gravitetit.
Duke iu rritur shpëjtësia, rritet dhe rezistenca e ajrit, derisa forcat e kundërta baraspeshohen. Që në këtë cast, ajo bie me shpejtësi konstante që quhet shpejtësi terminale (përfundimtare). Kur përgatitet për të zbritur në Tokë, ajo e hap parashutën. Në këtë rast rezistenca e ajrit rritet menjëherë. Kjo bën që shpejtësia të zvogëlohet shpejt. Kjo zvogëlon dhe rezistencën e ajrit, derisa arrihet një shpejtësi tjetër terminale më e vogël, aq sa zbritja në Tokë të jetë pa rrezik.
Kur lëshojmë trupat drejt Tokës, trupat e rënd bien më shpejt. Kjo ndodh nga rezistenca e ajrit. Ajri ndikon më shpejt në trupat e lehtë sesa në trupat e rëndë.
Astronautët kryen në hënë, ku nuk ka ajër, një eksperiment të tillë dhe vunë re se të gjithë trupat bien njëkohësisht.
Këtë rezultat e parashikoi Galileo Galilei rreth 400 vjet më parë.